e hënë, 8 nëntor 2010

Derbi me polemika Roma ndal "fluturimin" e Lacios

ROME-Roma ka fituar 2-0 kundër Lacios në një prej ndeshjeve më të bukura dhe më spektakolare të këtij sezoni në Serinë A. Derbi i kryeqytetit ka dhuruar emocione, spektakël, polemika dhe tension. Verdhekuqtë vinin në këtë sfidë me një distancë prej 10 pikësh nga rivalët e tyre të qytetit, por në fushë kjo nuk është ndjerë aspak. Ritmi i lojës ka qenë i jashtëzakonshëm, me dy skuadrat që kanë sulmuar vazhdimisht në kërkim të fitores, duke krijuar raste të shumta në portat respektive. Roma ndërkohë iu fal dy penalltive në pjesën e dytë, të dyja të pastra. Borrielo e Vuçiniç nuk falën dhe i shndërruan të dyja në gol, por sfida ka dhuruar polemika të shumta për shkak se lacialët kanë pretenduar në dy momente për penallti. Sidomos një shtyrje ndaj Maurit, kur rezultati ishte 0-1 për Romën, ishte një faull i pastër, të cilin Morganti nuk e dha. Ndërkohë një tjetër aspect negativ ka qenë boshllëku në tribunën karshi, i lënë nga tifozët e Lacios, për shkak edhe të kushteve të forta të sigurisë të marra nga policia.
Derbi
Sfida e djeshme nisi me një Lacio më të mirë, por Roma ka qenë shumë e rrezikshme në kundërsulm, duke krijuar disa momente të mira, port ë pashfrytëzuara. Lacio ndërkohë pati rastin më të mirë me anë të Tomazo Rokit, por ai nuk arriti ta dërgonte dot topin në rrjetë, pas një krosi nga e majta. Pjesa e dytë nis me një ndryshim te bardhekaltërit. Trajneri Reja nxjerr Rokin për Zaraten, por kur dukej se Lacio mund të shënonte, ka ardhur goli i Romës. Vuçiniç fut një top në qendër të zonës dhe Simplisio godet drejt portës, por topi ndalohet me krah nga Lishtajner. Morganti nuk ka dyshime: është penallti. Nga pika e bardhë Borrielo godet jo mirë, por topi përplaset në këmbët e portierit Muslera dhe përfundon në rrjetë. Pas avantazhit, Roma tërhiqet e gjitha në mbrojtje dhe Lacio rrezikon disa herë. Rastin më të mirë e pati Hernanes, por braziliani gaboi përballë portierit Zhulio Serxho, i cili u tregua një hero i vërtetë. Më pas ishte moment i penalltisë. Pas një goditje dënimi, Rise rrëzon Maurin në zonë, por arbitri nuk jep asgjë, duke shkaktuar protesta të forta nga ana e lacialëve. Dy minuta më pas, Lacio ka një tjetër top të artë, por me portën e boshatisur Foxhia godet kryqëzimin e shtyllave. Ndërkohë, në minutat e fundit Roma merr një tjetër penallti, pasi Dias rrëzon në zonë Zhulio Baptisën. Morganti jep penallti, ndërsa lacialët protestojnë për shkak se verdhekuqtë vazhduan aksionin kur dy lojtarë të tyre ishin të shtrirë. Nga pika e bardhë Vuçiniç shënoi golin e dytë, duke vulosur fitoren e Romës.
Deklaratat
Pas ndeshjes, trajneri i Romës Klaudio Ranieri ka qenë tepër i lumtur, duke përgëzuar lojtarët e tij. "Ndjej që kemi bërë një ndeshje të madhe, djemtë ishin të mrekullueshëm, - tha ai. - Në tre ditë kemi bërë dy gjëra të mira dhe jam vërtetë i kënaqur, jo vetëm për fitoren, por edhe për lojën. Ishim shumë të zgjuar taktikisht. Për mendimin tim, sekreti i fitores nuk lidhet me kondicionin më të mirë atletik, por me faktin se jemi më mirë nga ana psikologjike". Ndërkohë, trajneri i Lacios Edi Reja ia ka faturuar arbitrit një pjesë të madhe të fajit për humbjen. "Ishte një ndeshje që u vendos nga episodet, sidomos nga penalltia që nuk u dha për shtyrjen ndaj Maurit, - deklaroi trajneri i Lacios. - Tani është e kotë të ankohesh, pranojmë verdiktin e fushës. Kuptohet që humorin nuk e kemi aq të mirë në këto momente, por nuk dalim kokulur nga kjo ndeshje", shtoi ai.

Nuk ka komente:

Posto një koment