e enjte, 19 maj 2011

AFP, artikull për situatën politike në Shqipëri.

"Komisioni elektoral shqiptar që dominohet nga partia në pushtet, Partia Demokratike, urdhëroi rinumërim të votave të mërkurën, duke nxitur një thirrje për kryengritje te opozitës".

Kështu nis një artikull i agjensisë se lajmeve AFP që i dedikohet situatës politike në Shqipëri. AFP vijon më tej të saktësojë se një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste të kryetarit në largim të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, bëri thirrje për një kryengritje kundër vendimit të komisionit, megjithatë nuk ka patur raporte të menjëhershme të protestave të organizuara në një shkallë më të gjerë.
AFP citon kryetarin e KQZ , Arben Ristani të ketë thënë: "Komisioni Qëndror Zgjedhor ka vendosur të rivlerësojë vlefshmërinë e fletëve të votimit që janë të kontestuara apo që janë shpallur të pavlefshme për kandidatët për kryetar".
Sipas AFP-së bëhet fjalë për rinumërim të më shumë se 100 votave, dhe ky proces mund të ndryshojë rezultatin e zgjedhjeve për kryeqytetin. Sipas rezultateve të përkohshme nga Komisioni Zgjedhor rajonal, Rama, i cili po kërkon mandatin e tij të katërt si kryebashkiak i Tiranës, mundi kandidatin tjetër për kryetar Bashkie, nga Partia Demokratike, Lulzim Basha, me një diferencë të ngushtë prej 10 votash.
AFP citon edhe kreun e grupit parlamentar te Partisë Socialiste, Gramoz Ruçin, ndërsa bën thirrje për kryengritje popullore nëpër të gjithë vendin, pasi sipas tij, është e vetmja mënyrë për të kundërshtuar vendimin e komisionit elektoral.
Gjithashtu, AFP shkruan edhe për thirrjen e ndërkombëtarëve, vecanërisht të Ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, i cili bëri thirrje të dyja palëve që "të përpiqen të punojnë brenda kuadrit ligjor."
"Gjëja më e rëndësishme për gjithësecilin, është që të ruajë qetësinë sa më shumë të jetë e mundur” ka thënë Arvizu në një intervistë për Radio Televizionin “Ora News”. Ambasadori vizitoi ambientet e televizionit “Ora News” gjatë paradites të së mërkurës.
AFP, përmend edhe faktin se më herët gjatë ditës së mërkurë, dhjetëra përkrahës dhe militantë të opozitës, u grumbulluan në ambientet e jashtme të KQZ-së, por u përballën me një kontigjent të madh forcash policore. Gjithashtu më tej shkruhet se u regjistruan edhe konfrontime fizike, ndërsa deputetë të Partisë Socialiste përpiqeshin të kalonin kordonin policor për të hyrë në ndërtesën e Komisionit Zgjedhor. Duke folur në mbledhjen e kabinetit, shkruan AFP, kryeministri Sali Berisha i bëri apel Ramës, që të largojë mbështetësit e tij nga Komisioni Zgjedhor, duke paralajmëruar se në të kundërt mund të ketë pasoja të rënda .Sipas KQZ-së , rinumërimi do të thotë se do të duhen edhe disa ditë të tjera, përpara se të deklarohet rezultati final i zgjedhjeve lokale te 8 majit.

 

Nuk ka komente:

Posto një koment