e martë, 19 tetor 2010

Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, seri aktivitetesh në Tiranë

TIRANË- Institucionet kulturore në Tiranë do të ofrojnë një seri aktivitesh në kuadër të 19 Tetorit, Ditës së Lumturimit të Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali i II, shtatë vjet më parë. Në këtë ditë që është shpallur festë kombëtare nga qeveria shqiptare, paradite do të përurohet "Rruga e Mileniumit për Paqen" tek Kodrat e Liqenit Artificial, ku do të marrin pjesë personalitete të larta të shtetit, si Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, etj.

Në Teatrin e Operas dhe Baletit do të performojnë koret e dhomës nga Evropa, pjesëmarrëse në Festivalin që nisi një ditë më parë nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në repertorin e këtij koncerti përfshihet dhe kënga “Lamtumirë” me tekst të Nënë Terezës, bamirëses me origjinë shqiptare.
Në kuadër të aktiviteteve, Qëndra Kombëtare Kulturore për Fëmijë do të organizojë një veprimtari në Teatrin Kombëtar për Fëmijë, protagonistë të së cilës do të jenë nxënësit e shkollave që do të pikturojnë imazhin e Nënë Terezës. Më pas aktiviteti do të vazhdojë me një koncert nga fëmijët në sallën e Teatrit Kombëtar të Fëmijëve.

Shtatë vite më parë (19 Tetor 2003), Nënë Tereza u shpall e "lumturuar" nga Papa Gjon Pali II, si simbol i ndihmës për "më të varfërit e të varfërve", të cilëve ajo iu kushtoi jetën. Gjon Pali II, i cili e adhuronte, kishte shprehur dëshirën për ta shenjtëruar besimtaren, e cila vdiq në shtator 1997 në moshën 87 vjeçare, por arriti deri në etapën e parafundit, Lumturimin.

Në Shqipëri, viti 2010 që përkon me lindjen e bamirëses shqiptare me famë botërore është shpallur si “Viti i Nënë Terezës”

Nuk ka komente:

Posto një koment