e martë, 19 tetor 2010

Sot shtatë vjet nga Lumturimi i Nënë Terezës

Sot mbushen plot 7 vjet nga Lumturimi i Nënë Terezës. Çdo vit, në Kalkuta, por edhe në vende të tjera të botës, kjo ditë festohet. Shqipëria e ka shpallur ditë pushimi zyrtar, por gjatë këtyre viteve ka ndodhur që është bërë thjesht dhe vetëm pushim. Sivjet, dita e Lumturimit do të përmbyllë edhe aktivitetet që MTKRS shënoi në kalendar në kuadër të Vitit të Nënë Terezës, shpallur i tillë në 100-vjetorin e lindjes. Maratona e Popujve, një aktivitet i kthyer i përvitshëm dhe Festivali Ndërkombëtar i Koreve, i mbajtur njëkohësisht në Durrës, Shkodër e Korçë, i janë dedikuar në Shqipëri humanistes. Me këto aktivitete do të përmbyllet edhe kalendari që ishte parashikuar me këtë rast, pjesërisht i realizuar. Më 19 tetor të vitit 2003, nobelistja shqiptare u lumturua nga Papa Gjon Pali II “Në emër të të varfërve e të dashurisë për Zotin”, duke hedhur kështu hapin e parë drejt shenjtërimit të plotë të saj. Gjithë jeta dhe vepra e Nënë Terezës iu kushtua të varfërve dhe të sëmurëve. Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t'i printe kongregatës së saj dhe t'u përgjigjej nevojave të të varfërve e të kishës. Në vitin 1997, pak para se të ndahej nga jeta, Nënë Tereza kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Nënë Tereza u lumturua në vitin 2003 nga Papa Gjon Pali II, duke u bërë personi i parë për të cilën reduktohet procedura e shenjtërimit.

Nuk ka komente:

Posto një koment