e diel, 17 tetor 2010

Mirditasi dhe kodet e tij

Dijetarët që shkelën këndej që nga gjysma e parë e shekullit XIX mbetën të papërsëritshëm në misionin e tyre shkencor, kulturor, ashtu si krahina që përshkruan e studiuan.
Teksa merr në dorë dhe shfleton këtë përmbledhje me intervista kushtuar Mirditës, befas të përhihen silueta të largëta murgjish benediktinë, në kuvendet e tyre të Ndërfanës, Oroshit, Rubikut e Shpalit, kërrusur mbi një visar të pashoq trashëgimie kulturologjike e etno-historike: unaza, varëse dhe stoli të tjera të florinjta grash piruste si princesha, vegla pune të kohëve parake të njerëzimit, armë e përkrenare ilire, monedha bizantine të kohës së Justinianit, vizatime shkëmbore kalash mesjetare, piktura murale kishash të mëhershme, stema familjesh princërore Arbre, mbishkrime latine bazilikash në zë - njësoj si grekët e romakët e moçëm përkulur mbi pergamena e papiruse antike. Pasi kanë përshkuar anë e mbanë terrenin bjeshkatar të Shqipërisë së Epërme, galeritë e vjetra mineral-nxjerrëse të minierave të Fandit, shkritoret e bakrit nëpër kreshta, ujësjellës - si i Domgjonit, shpella historike - si e Batos, qytezat e vjetra të territoreve të Dukagjinit, ata, murgjit e vjetër, zelltarë të pashembullt të punës, lutjes dhe diturisë, i “shohim” të ulen dikund, në shkrimtoret e tyre, me muret ku varen gjithnur antikash, dhe të shkruajnë historitë, baladat dhe zejet e këtij populli që nga zanafilla, gjer mitologji gojdhanore vendase të kohës së Homerit e Sofokliut.
Në kohë më të vona, në malet e Mirditës dhe trevat e tjera veriore ka mbirë një tjetër racë dijetarësh, eksploruesish, udhëpërshkruesish evropianë, konsuj diplomatikë të Francës, Italisë, Austrisë, zonja angleze gjithë sqimë e dije, që do të “kurorëzoheshin” në mbretërinë e maleve shqiptare, albanologë e etnologë, gjeologë e biologë, që, pasi janë endur gjatë nëpër shkrepat e naltë të bjeshkënajave tona, kanë shkrepur aparatet fotografike, kanë përpiluar hartat gjeografike, gjeologjike, dialektologjike, pemët gjenealogjike të “fiseve” dhe së fundi kanë botuar në gjuhët e Perëndimit kodet autentike të këtij vendi të shqipeve, siç e kishin quajtur ata. Sado pikante të ishin hetuar në Mirditë, doemos që ato ishin shumë më tepër se kode të një krahine, treve, apo disa syresh - duke qenë kode të universit shqiptar. Mirditasi gjithherë ka kuvenduar me mikun, ndaj një libër me intervista, me të zotët e kuvendit, është mbase më i përshtatshmi për të folur në Mirditë dhe për Mirditën. E nëse dje vendi i duhur për ta bërë këtë ishte te “Lisat e Sh’Palit”, sot ka të tjera forume ku mund të flitet, e një i tillë është dhe një libër bashkëbisedimi si ky. “Mirdita-intervista”, është një botim i një natyre të veçantë, ku rrinë bashkë jo pak emra të përzgjedhur nga elitat e sotme. Këndvështrimi i tyre ka bërë që kjo të mos jetë, megjithatë, një prurje lokale, pasi Mirdita është parë më së shumti si Shqipëri, nga A. Boue, H. Hecquard, J. G. Hahn, Zhan-Klod Faverial, E. Durham, e të tjerë ekspolures të shquar të trevave veriore. Nëse në të kaluarën, emrave të shquar nga radhët e të huajve, iu bashkërenditen dhe dijetarët dhe autorët vendës, si Prend Doçi, Pjetër Zarishi, Ndoc Nikaj, Risto Siliqi, Shtjefën Gjeçovi, Ambroz Marlaskaj, Dodë Koleci, Prend Suli, Stavri Frashëri, Mitrush Kuteli, Zef Mark Harapi, Gjergj Shabani e të tjerë, në kohët e mëvona, në këtë hulli, janë të shënuara kontributet shkencore, letrare, artistike, apo publicistike të një vargu autorësh, si Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Kol JakovaAt Zef Pllumi, Pjetër Arbnori, Roza Anagnosti, Rikard Ljarja, Tonin Miloti, Mark Tirta, Frrok Çupi, Pal Doçi etj.
Autori Gjon Marku, i pasionuar pas kërkimeve, koleksionimeve të visareve të Mirditës e më gjerë, ka lëvizur mes publicistit që bën pyetje për të tjerët dhe studiuesit që ka njohjen e vet për objektin e thënies që është Mirdita. Libra të tillë, që kanë fatin e lum të jenë gjithnjë në tryezën e atyre që shkruajnë për Mirditën dhe trevat përreth, janë dhe një ftesë më shumë, për t’i shkuar dhe më në thellësi dijes për këtë vend e këtë kulturë autentike shqipe.

Ndue Dedaj

Nuk ka komente:

Posto një koment